Një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër Covid-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mesin e javës së ardhshme, ka bërë të ditur Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër koronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht. Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian. Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza.





