LAJME

Të gjitha vendimet që u miratuan në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Kosovës

Të gjitha vendimet që u miratuan në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
3 Prill 2026, 12:38

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka:

  • Miratuar Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i mënyrës së fitimit, regjistrimit, rifitimit, humbjes dhe anulimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës, si dhe rregullimi i çështjeve të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës.
  • Miratuar Projektligjin për Lëndët Plasëse, i cili përcakton kushtet dhe kriteret për prodhimin, shitjen, tregtinë, transportin, magazinimin, përdorimin, asgjësimin, hulumtimin, testimin dhe vlerësimin e përputhshmërisë së lëndëve plasëse, shitjen me pakicë të artikujve piroteknikë me qëllim të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe sigurisë së njerëzve, kafshëve dhe bimëve, mjedisit dhe pronës, si dhe çështjet me rëndësi për kryerjen e këtyre aktiviteteve.
  • Miratuar Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përmes të cilit rregullohet sistemi i sigurimit të kujdesi shëndetësor të detyrueshëm, duke përfshirë parimet, funksionet, të drejtat e përgjegjësitë e palëve të përfshira, personat e siguruar, modalitetet e kontributit, pakoja e përfitimeve që mbulohet nga sigurimi shëndetësor i detyrueshëm, marrëdhëniet kontraktuale me institucionet e kujdesit shëndetësor dhe barnatoret, në lidhje me ofrimin, përdorimin dhe pagesën e shërbimeve shëndetësore dhe produkteve të dispenzuara. Më këtë themelohet Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor i Republikës së Kosovës si dhe rregullohet funksionimi dhe financimi i Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës.
  • Miratuar Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore. Ky projektligj përcakton statusin e Provimit të Maturës Shtetërore, në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës, përmbajtjen, kushtet dhe mënyrën e organizimit të Provimit të Maturës Shtetërore, të drejtat e kandidatëve dhe strukturat përgjegjëse dhe kompetencat e tyre për organizimin e këtij provimi.
  • Miratuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i cili ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë projektligj dhe mënyrën e zbatimit të tyre. Me këtë projektligj themelohet Bordi i Pavarur për Masat e Përkohshme për Rregullimin e Çmimeve, në raste të veçanta të përcaktuara me këtë ligj. Bordi i Pavarur i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës për ushtrimin e mandatit të tij në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut.
  • Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
  • Miratuar Projektligjin për Shërbimet e Pagesave, i cili ka për qëllim krijimin e një tregu më të integruar të pagesave, duke e ngritur nivelin e sigurisë së shërbimeve të pagesave dhe mbrojtjen e përdorueseve të shërbimeve të pagesave si dhe përcakton kërkesat e regjistrimit, kërkesat e kapitalit, mënyrës së angazhimit të agjentëve dhe kontraktimit të shërbimeve për institucionet e pagesave.
  • Projektligjit për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030, i cili ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera, lidhur me organizimin dhe funksionimin e edicionit XXI të Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030.
  • Miratuar vendimin për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh. A. Pejë, në këtë përbërje:

◦ Qendresa Kukaj-Prelvukaj, kryesuese;

◦ Naim Neziri, anëtar;

◦ Mjellma Vokshi, anëtare; dhe

◦ Ismet Fekaj, anëtar.

  • Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.
  • Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar dhe Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Turqisë, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë.
  • Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Luginën e Preshevës.
  • Miratuar Planin e Veprimit për Qeverisje të Hapur 2026-2028, i cili përfshinë pesë zotime prioritare, të cilat synojnë avancimin e transparencës, llogaridhënies, qasjes në dokumente publike dhe pjesëmarrjes qytetare, në përputhje me parimet e Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
  • Informuar Kabinetin Qeveritar për Raportin për Funksionimin e Komunave për vitin 2025.
  • Miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 2,255,845.00euro (dy milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e dyzet e pesë euro), për mbulimin e obligimeve të papaguara që rrjedhin nga organizimi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28.12.2025.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika