Dje, është bërë edhe rangimi i komunave sipas zonave bazuar në numrin e rasteve të reja të COVID-19 në 100 mijë banorë në intervalin kohor prej shtatë ditësh.
Me rangimin e ri, pjesë e zonës së kuqe janë edhe Podujeva dhe Mitrovica e Jugut. Komuna të tjera që janë pjesë e zonës më rrezik të lartë të infektimit janë edhe Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi.
Ndryshime ka pasur edhe në zonën e verdhë. Aktualisht pjesë e kësaj zone janë: Vushtrria, Gjilani, Lipjani, Suhareka, Shtimja dhe Vitia.
Ndërkohë, në zonën e gjelbër janë 23 komuna: Pejë, Kllokot, Ferizaj, Malishevë, Deçan, Kamenicë, Skenderaj, Rahovec, Junik, Gjakovë, Shterpcë, Klinë, Istog, Novobërdë, Prizren, Drenas, Kaçanik, Hani i Elezit, Dragash, Graçanicë, Mamushë, Partesh dhe Ranillugë.
Ndryshe, me masat e reja, operatorëve ekonomik në zonën e kuqe iu lejohet të punojnë deri në orën 21:00, derisa ndalohet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:30 deri në orën 05:00.
Për komunat që gjenden në zonën me rrezik të mesëm do të zgjatet orari i punës së gastronomisë dhe qendrave tregtare nga ora 05:00 deri në orën 22:00.
E në komunat që janë në zonën e gjelbër, operatorët ekonomik do lejohen të punojnë nga ora 05:00-22:00. Në të njëjtën periudhë lejohen të punojnë edhe qendrat e tregtare.
Por, sa mund të dënohen qytetarët që nuk i përfillin masat e Qeverisë?
Të gjithë ata që s’i respektojnë këto masa, do të gjobiten. Bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, qytetarët që nuk e respektojnë vendimin për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, dënohen me gjobë deri në 200 euro. Për persona juridikë, gjoba është 500 euro.
Ndërkohë, gjoba për ata që nuk i vendosin maskat dhe nuk e mbajnë distancën fizike është 35 euro.
Me vendimin e Qeverisë, ndalohen edhe të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtaritë fetare (përveç familjarëve të ngushtë) me mbi 50 persona.
Ata që nuk e respektojnë këtë vendim, mund të dënohen me gjobë prej 200 deri në 2 mijë euro.
Gjoba shqiptohen edhe për ata që nuk e respektojnë masën e izolimit.
Me Ligjin për Luftimin e Pandemisë, personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej 150 eurosh./Gazeta Express