Situata në veri të Kosovës ishte e qetë të mërkurën, kur janë bërë 12 ditë nga barrikadimi i rrugëve që shpien drejt pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Kosova ka zënë vend në fjalimin e fundvitit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, derisa për të ofruar siguri misioni i kësaj aleance në Kosovë, KFOR, ka përsëritur se ka kapacitetet e nevojshme.
Disa metra nga barrikada në fshatin Rudar, të enjten do të protestohet.
Protesta, siç raportuan mediat serbe, është organizuar nga i ashtuquajturi “Shtab i krizave nga veriu i Kosovës”.
Sipas paralajmërimit, protesta planifikohet të mbahet në mesditë, derisa organizatorët e kanë vlerësuar atë si “protestën më të madhe popullore që ka ndodhur ndonjëherë”.
Në mesin e arsyeve të përmendura në thirrjen për protestë, sipas organizatorëve, është droja e shprehur nga kryeministri Albin Kurti për gazetën “The Guardian” se mund të ketë viktima gjatë heqjes së barrikadave.
Bllokimi i rrugëve që çojnë në pikat kufitare me Serbinë bën që KFOR-i në fillim të kësaj jave të testojë kapacitetet që ka.
Nëpërmjet një video-njoftimi të publikuar nga KFOR-i thuhet se stërvitja në Novosellë është bërë për të trajnuar e testuar aftësitë e njësive të misionit të NATO-s në Kosovë për të garantuar lirinë e lëvizjes.
“Për shkak të kompleksitetit të mjedisit aktual operativ, është thelbësore që këto sisteme dhe aftësi të testohen pasi ato zbusin rrezikun kolektiv nëse marrëveshjet e ardhshme politike nuk mund të përmbushen. Ka shumë aktorë në terren të përkushtuar për të bërë përparim, por KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë nëse është e nevojshme, por ne parandalojmë përshkallëzimin në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në njoftim.
KFOR-i po ashtu ka bërë të ditur se ka marrë në shqyrtim kërkesën e Serbisë për angazhimin e pjesëtarëve të ushtrisë së saj në Kosovë.
E Kosova ishte pjesë edhe e fjalimit të fundvitit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jen Stoltenberg. Sipas tij, siguria në Kosovë është çelës i stabilitetit për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Për situatën në veri, ku serbë lokalë kanë ngritur barrikada tash e 12 ditë, ka folur sërish kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo ka thënë se konflikti i armatosur është në prag.
Thirrje për heqjen e barrikadave ka pasur edhe në Kosovë. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në Kosovë serbët trajtohen si qytetarë të barabartë e në disa raste edhe “me të drejta edhe më të avancuara”.
“Serbët në veri nuk kanë arsye të ndihen as të rrezikuar, as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun. I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave. Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFOR-it, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë. T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin”, ka thënë Haradinaj.
Institucionet e Kosovës janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave.