Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë së re u ka bërë thirrje partive politike e deputetëve për zgjidhjen e çështjes së presidentit. Ka thënë se do të ishte e pafalshme shkuarja e serishme në zgjedhje.
Sipas Kurtit, një diskutim i hapur e i sinqertë mund t’i sjellë vendit president të ri.
“Përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes VV-së dhe LDK-së. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje serish për të ardhur prapën në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë, deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se gjetja e kompromisit politik është e mundur e sjell rezultat, dhe sipas tij dëshmi e kësaj është konstituimi i Kuvendit.
Duke folur për punët që e presin Qeverinë, ka deklaruar se ka shumë projekte por bashkë me to edhe sfida e probleme që do t’i trajtojnë.
“Investimet tona do ta lartësojnë republikën dhe do ta zhvillojnë shoqërinë. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe pas një mandati të plotë qeverisës, kemi pas dy palë zgjedhje të paarsyeshme, të kushtueshme dhe që nuk sollën rezultat tjetër. 10 muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhje në dhjetor të vitit 2025. Barrikada tjetër për të shkuar në zgjedhje në qershor. Sërish qytetarët folën qartë. Sot kur po flasim, jemi me kuvend të konstituuar e qeveri të zgjedhur”, ka thënë ai.
Të dielën kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e ka shpallur të konstituuar Kuvendin e Kosovës pa e zgjedhur nënkryetarin nga radhët e PDK-së, pasi kjo parti vendosi të mos marrë pjesë në seanca, pa pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pas konstituimit është mbajtur seanca ku është zgjedhur Qeveria Kurti 4.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se nesër do ta dërgojnë edhe një kërkesë tjetër për vlerësim të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë./KOHA