LAJME

Ambasada amerikane ngre alarm për 16 shtatorin: Shmangni lëvizjet afër demonstratave

Ambasada amerikane ngre alarm për 16 shtatorin: Shmangni lëvizjet afër demonstratave
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Shtator 2026, 09:27

Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç thuhet, janë paralajmëruar demonstrata për të mërkurën e 16 shtatorit, ditën kur do të merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në një njoftim të Ambasadës thuhet se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera kryesore të Kosovës.

Tutje thuhet se këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe çrregullime të rënda në trafik.

“Këshillohet që të kufizoni lëvizjet në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimet drejt vendit të punës apo shkollave nëse rruga juaj kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrini ta përfundoni udhëtimin në kohë. Personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në trafik”, thuhet në njoftim.

Ambasada e SHBA-së thuhet se do të jetë e hapur dhe do të ofrohen shërbime të kufizuara konsullore, sipas nevojës.

Gjykata Speciale të mërkurën më 16 shtator do të marrë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika