LAJME

Të akuzuarit për pengim të drejtësisë deklarohen sërish të pafajshëm

Të akuzuarit për pengim të drejtësisë deklarohen sërish të pafajshëm
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Shkurt 2026, 10:57

Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Gjykatësi ka pyetur me radhë të akuzuarit – që më herët janë deklaruar të pafajshëm – të tregojnë nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse janë fajtorë ose jo.

Ata u deklaruan sërish të pafajshëm.

Prokurori ka thënë se Thaçi mban përgjegjësi për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për Smakajn, Prokuroria tha se mban përgjegjësi për veprën penale të tentimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për të njëjtat akuza akuzohen edhe Kilaj, Fazliu, ndërkaq Kuçi akuzohet për dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.

Kryeprokurorja Kimberly West ka thënë se Thaçi dhe katër të akuzuarit të tjerë kanë “minuar” Gjykatën Speciale. Ajo shtoi se të akuzuarit “shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar se dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë
besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët.

“Ish-kryetari Thaçi akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe sistematike tentoi të ndërhyjë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, duke dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët në çështjen gjyqësore tjetër kundër tij për krime lufte, dhe duke shkelur një numër urdhrash gjyqësorë që synojnë mbrojtjen e informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Të bashkakuzuarit e tij – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – akuzohen për pjesëmarrje të paligjshme në një ose më shumë prej këtyre veprave penale”, potencoi ajo./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika