Pasditja e 4 majit do ta gjejë kryeministrin Albin Kurti në kryeqytetin gjerman, Berlin në takim me kancelarin Olaf Scholz.
Kancelarin do ta takojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç do të bëjë edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
E këta tre të fundit mbrëmja do t’i bëjë bashkë, ku pas një kohe të gjatë pritet të zhvillohet takim mes kryeministri Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga emisari Lajçak.
Por, njohësi amerikan i rrethanave ndërkombëtare, Janusz Bugajski thotë se takimi nuk do të zgjidhë asgjë.
“Takimi nuk do të zgjidhë asgjë, pasi është kryesisht një politikë simbolike me tre qëllime. Së pari, BE-ja dëshiron të jep përshtypje se po lehtëson dialogun dhe zgjidhjet paqësore, edhe pse ky ritual mund të vazhdojë pafundësisht pa asnjë rezultat. Së dyti, Beogradi mund të pretendojë se është i interesuar për një zgjidhje, ndërsa në realitet po manipulon bisedimet për të krijuar mosmarrëveshje dhe për të shmangur njohjen e Kosovës. Së treti, Prishtina duhet të marrë pjesë në takimet simbolike në mënyrë që të mos fajësohet se është mosbesuese dhe të mbajë mbështetjen ndërkombëtare.”, tha ai.
I pyetur nëse ka një simbolikë vendi i takimit, që po i bën bashkë Kurtin e Vuçiqin pas gati një viti, Bugjaski thotë se vendtakimi bëhet pak i rëndësishëm pa një politikë të BE-së që i bën presion apo bind Beogradin drejt njohjes së Kosovës.
“Ka një qeveri të re në Gjermani e cila me sa duket dëshiron të tregojë se është e përkushtuar për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në Ballkan. Megjithatë, pa një përkushtim të vendosur nga të gjithë anëtarët e BE-së për shtetësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe pa një politikë që i bën presion apo bind Beogradit drejt njohjes së Kosovës, vendtakimi bëhet i parëndësishëm. Pika e rëndësishme për t’u vëzhguar është tema e çdo takimi në vijim. Nëse ata nuk përfshijnë njohjen reciproke, atëherë janë humbje kohe.”, tha ai, RTK.
