Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi i radhës në Bruksel, do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.
“Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogun me Serbinë e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë derisa ka thënë se kjo është edhe qasja e presidentit amerikan Joe Biden.
“Këtë e ka thënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, dhe plotësisht pajtohemi me këtë formulim. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën e njeh edhe Kosova më pas, dhe kështu dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mirë fqinjësore sipas modelit evropian”.
Ai, në deklaratë për mediat pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, tha se asnjë nga marrëveshjet e mëhershme me palën serbe nga qeveritë e kaluara – përfshirë edhe ajo për të pagjeturit sa ishte Qeveria Hoti – nuk vlejnë pa pasë dakordim të përgjithshëm për të gjitha.
“Nga marrëveshjet e mëhershme duhet ta keni parasysh që janë bërë nga një qeveri që doli se ishte jolegjitime dhe kundërkushtetuese, dhe asnjëra nga dakordimet e mëhershme nuk vlen nëse nuk ka dakordim për të gjitha. Nuk mund të thuhet që ka pasë marrëveshje në të kaluarën, por është zotimi jonë si Qeveri e Kosovës që nëse nuk ka diçka që nuk pret është çështja e të pagjeturve pasi familjet nuk jetojnë vetëm në dhembje dhe pikëllim, por edhe në ankth. Edhe ne e trajtuam këtë çështje, por nuk duket që ka gatishmëri me njerëzit përgjegjës të asaj kohe që fatkeqësisht janë në pozita të rëndësishme shtetërore, njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm”.