Presidentja Vjosa Osmani do t’i mbledhë sërish liderët e partive, në kërkim të një rrugëdalje nga ngërçi i krijuar tash e mbi tre muaj. Këtë herë, Osmani do t’i takoj krerët e partive secilin veç e veç.
Presidentja Vjosa Osmani do të nisë një seri tjetër takimesh me liderët e partive lidhur me krijimin e institucioneve, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar. Ftesa e Osmanit për takime vjen pas dështimit të 40’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Takimet do të mbahen të mërkurën dhe të enjten. Nesër Osmani do t’i pres liderët e partive më të mëdha në vend, teksa pasnesër ata të partive minoritare.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se Osmani do të fillojë nesër takimet qysh në orën 10:00 të mëngjesit. Të parin do ta pres kreun e Vetëvendosjes, njëherit kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Pastaj do të takohet me kreun e PDK’së, Memli Krasniqin, atë të LDK’së, Lumir Abdixhikun dhe në fund kreun e AAK’së, Ramush Haradinajn. Këto takime do të zgjasin deri në orën 16:00.
Krasniqi, ishte i pari që konfirmoi se ka pranuar ftesë për takim nga Osmani.
Ai e cilësoi si pozitiv angazhimin e Osmanit, por është shprehur skeptik për sa i përket rezultatit të takimit.
“Qëndrimi jonë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneçësisë politike të VV-së“, ka thënë Krasniqi.
Më vonë edhe Kurti, gjatë vënies së gurthemelit për dy urat e reja mbi Ibër, e konfirmoi që do të shkojë në takim.
“Kam marrë pjesë më herët e do të marrë pjesë edhe tash”, tha Kurti.
Pjesëmarrjen në takim për gazetën online Reporteri.net e konfirmuan edhe nga LDK-ja e AAK-ja.
Partitë politike nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh. Kushtetuesja ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera.
Ndonëse pati propozime, ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis.
Në anën tjetër Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.
Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.
Kosova po hyn në muajit e pestë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe në muajin e tretë që kur është mbajtur seanca e parë për konstituimin e Kuvendit. Që nga 15 prilli, seanca konstituive ka dështuar në 40 vazhdime të saj./Reporteri.net/