Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se partia të cilës i përket ai, nuk e ka refuzuar asnjë takim me kryeministrin Albin Kurti. Por, sipas tij, Kurti ka refuzuar ta konkretizojë iniciativën e re të tij përmes një letre zyrtare. Ky, ka theksuar ai, është motivi pse nuk ka pasur takime mes dy liderëve politik.
Ai ka thënë se tashmë kjo çështje është e përfunduar, pasi që Këshilli Drejtues ka vendosur ta konsiderojë të përmbyllur kontributin e PDK-së në këtë proces.
E për mesazhet e Kurtit në Whatsaap, ka thënë se ishin “kërkesa për pazare politike dhe qesharake”.
“PDK-ja s’ka refuzuar asnjë takim. PDK-së nuk i ka ardhur asnjë ftesë formale në adresë të saj. Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34-ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Whatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharake. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar. Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se ka këprkuar të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, porse i njëjti nuk ka pranuar. Sipas tij, fillimisht kishte deklaruar se po e presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e më pas sërish nuk e pranuan ftesën për takim./KOHA