Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për deklaratën ku ai kërkon nga sektori privat që të rris pagat për punëtorët.
“Është edhe një temë shumë e rëndësishme që lidhet me buxhetin e vitit 2023. Në analizën e parë të AAK-së shohim se ky është një buxhet totalisht pa vizion dhe i pareflektueshëm në gjendjen që është Kosova. Janë disa argumente. Argumenti i parë është deklarata skandaloze e ministrit të Financave, ai thotë sektorit privat dilni dhe rritni rrogat e punëtorëve të juaj se iu ka rrit fitimi, derisa në këtë buxhet në këtë sesion nuk e ka sjellë ligjin e pagave që e ka në dorë. Ministri Hekuran Murati e ka në dorë rritjen e pagave për sektorin publik dhe buxhetin për këtë punë, as nuk e ka sjellë në linjë buxhetore për këtë ligj, as ligjin, e mbi të gjitha koeficientin”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, është e palogjikshme nga një ministër të kërkojë një gjë të tillë nga sektori privat, kur ai e ka në dorë rritjen e pagave për sektorin publik e nuk e ka sjellë në Kuvend Ligjin për paga e as nuk ka ndarë mjete në buxhet për zbatimin e tij.





