LAJME

Tahiri: Qeveria në dorëheqje po tejkalon kompetencat, emërimet e reja janë të paligjshme

Tahiri: Qeveria në dorëheqje po tejkalon kompetencat, emërimet e reja janë të paligjshme
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Maj 2026, 09:59

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria në detyrë po tejkalon kompetencat me emërimet e reja, çka sipas tij, po cenon rendin institucional.

Tahiri ka theksuar se një qeveri në detyrë nuk është thjesht “në pritje”, por funksionon me kompetenca të kufizuara, të përcaktuara qartë me Ligjin për Qeverinë. Ai i është referuar nenit 31 të këtij ligji, i cili ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike gjatë kësaj periudhe.

Sipas tij, kjo ndalesë vlen edhe për periudhën pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në zgjedhjen e një qeverie të re me legjitimitet të plotë.

Në këtë kontekst, Tahiri ka shprehur shqetësim për shpalljen e konkurseve për rreth 20 pozita të larta udhëheqëse nga ana e qeverisë në dorëheqje.

“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me frymën e kufizimeve ligjore, por krijojnë edhe perceptimin e kapjes së institucioneve në një moment tranzicioni, kur vendimet e mëdha duhet t’i lihen legjitimitetit të ri”, ka deklaruar ai.

Në fund, Tahiri ka theksuar se respektimi i ligjit nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim për çdo institucion dhe bartës të pushtetit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika