Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka kabinetin më të madh në rajon.
Në një konferencë për media të mërkurën, ai prezantoi një analizë të strukturës së kabinetit qeveritar, duke theksuar se numri i të emëruarve politikë arrin në 453 persona. Sipas tij, kjo përbën një rritje të madhe të stafit politik dhe një ngarkesë të panevojshme për administratën shtetërore.
“Kapaciteti total i kabineteve sipas nivelit të numrit gjithsej të këshilltarëve dhe stafeve: 49 kryeministri, 64 te zëvendëskryeministrat (total 2 plus 1 në zyrën e kryeministrit), 238 të emëruar politikë me një nënshkrim nëpër ministri, te zëvendësministrat 102. Shihni, kjo qeveri i ka 453 njerëz që mundet me i emëru politikisht. Nuk po e thotë Besnik Tahiri. Po e thotë rregullorja 04/2026, e cila për mendimin tim përbën numrin më të madh, madhësinë më të madhe të emërimeve politike të kabineteve që e ka dikush”, u shpreh ai, transmeton EkonomiaOnline.
Tahiri kritikoi gjithashtu strukturën e qeverisë, duke thënë se janë krijuar ministri pa portofol real, me qëllim, sipas tij, akomodimin e agjendave partiake dhe rritjen e numrit të emërimeve politike.
Në fund, Tahiri theksoi se një qasje e tillë vjen në një kohë kur qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike, duke kërkuar më shumë fokus nga institucionet në çështjet që lidhen me mirëqenien dhe jetesën e tyre.
“Qytetarë të Republikës së Kosovës, arsyeja pse po e prezantojmë sot këtë analizë krahasuese faktike është e thjeshtë: Përderisa sot qytetari i Kosovës është duke u ballafaquar me probleme substanciale të jetës së vet, me problemin për të lidhur muajin me muaj, me ekzistencën e vet e të familjes, me kërkesën për një vend pune e për një jetë më të dinjitetshme, sot kjo është madhësia e qeverisë aktuale. Ajo akomodon për herë të parë në historinë e Kosovës një numër kaq të madh të emëruarve politikë. Dhe mbi të gjitha, është kjo qeveri që ende s’ka prodhuar program, ende nuk e dimë për çka qëndron, veçse e dimë që ditë për ditë emëron zëvendësministra e këshilltarë, duke akomoduar njerëzit e vet politikë e partiakë, pa u shqetësuar për problemet serioze që lidhen me inflacionin, me ngritjen e çmimeve dhe me mungesën e perspektivës në këtë vend”, shtoi ai.