Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit që në seancën e së enjtes ta votojnë ndryshimin e Projektligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.
Tahiri, para seancës së Kuvendit, ku do të jetë në rend dite ndryshimi I Projektligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, ka dy porosi për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
|Ata që po mundohen të na tregojnë që Trusti është për pleqëri, e kanë shumë gabim, sepse kjo është e ditur. Ne, hallin e kemi se si këta njerëz ta mbërrijnë pleqërinë në mungesë të dorës së shtetit në këtë situatë krize. Kontributdhënësit po i kërkojnë t’i marrin një pjesë të kursimeve të tyre për t’i zgjidhur disa probleme jetike që i kanë në këtë gjendje të jashtëzakonshme”, ka shkruar Tahiri në Facebook, transmeton Telegrafi.
Më tej Tahiri ka thënë se “Logjika me i thënë jo secilit propozim të opozitës pa e dhënë asnjë arsyetim, është pazotësi, është ikje e përgjegjësisë dhe mbi të gjitha është mungesë e guximit për të marrë një vendim”.
“Nesër të gjithë deputetët duhet ta votojnë Ligjin për Trustin!”, ka shkruar ai.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka bërë thirrje edhe njëherë deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës që ta përkrahim ndryshimin e Projektligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.
Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Haxhiu ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me krizë të vazhdueshme, nga ajo energjetike deri te ajo ekonomike e inflacionit.
Ai ka thënë se të enjten bëhen 100 ditë prej kur PDK-ja ka inicuar plotësim-ndryshimin e këtij projektligji dhe sipas tij, Qeveria po e vonon këtë proces në mënyrë që të ushtrojë presion mbi deputetët.