LAJME

Tahiri: Kurti të raportojë sa më shpejt në kuvend mbi situatën në veri

Tahiri: Kurti të raportojë sa më shpejt në kuvend mbi situatën në veri
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Maj 2023, 14:04

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se 31 maji i këtij viti, Kosovën e gjen në një pozitë të palakmueshme dhe të sanksionuar nga ShBA-ja.

Tahiri tha se kjo është e dëmshme dhe karshi kësaj situatë, ai tha se duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të sanohet dëmi.

“Është e dhimbshme që vendi ynë që për herë të parë merr pjesë në një ushtrim jashtëzakonisht të rëndësishëm të NATO-s siç ishte “Defender 2023” të përjashtohet në fillimet e saj”.

“Si grupe parlamentare të opozitës kemi kërkuar që ta kemi sa më shpejt një raportim të kryeministrit në kuvend mbi krejt atë se çka po ndodh në veri dhe në raport me aleatët e në veçanti me ShBA-të”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv.

Ai tutje tha se s’ka parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë mbështetur bandat në veri, por sipas tij, me ndihmën e tyre është vendosur ligjshmëria në komunat veriore.

“Që nga fillimi, edhe në qeverinë e parë dhe në të dytën, ne kemi parë që qasja e Kurtit ndaj ShBA-së ka qenë problematike dhe jemi ballafaquar me kërcënime. Në Qeverinë Kurti 1, një nga arsyet pse kemi shkuar në zgjedhje ishte dëmtimi i relacionit me ShBA-të”.

“Tash pasuan sanksionet dhe ajo çka kemi dëgjuar mbrëmë nga Kurti në raport me Sekretarin Blinken është jashtëzakonisht shqetësuese dhe pamaturi e madhe. Me ardhë puna që kryeministri i Kosovës ta quajë naiv Sekretarin e ShBA-së është e papranueshme”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika