Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se teksa qytetarët e vendit janë në luftë me varfërinë, kryeministri Albin Kurti flet me rima për bojlera e filtera, por nuk merret me çështjet jetike të vendit.
Tahiri shtoi se nuk po dëshmohet ajo për të cilën kjo Qeveri i ka marrë 50 për qind të votave.
“Qeveria duhet të bëhet serioze, ngase 50% i kanë fituar duke folur me vite të tëra për luftën kundër korrupsionit, për nepotizmin për punësimet më të njohshëm. Asgjë deri më tani nuk është lëvizur dhe nuk është duke u argumentuar në të kundërt.
Qeveria, në qoftë se nuk ka një reagim, së paku do duhej të merrte një vendim, që kushdo që është përmendur si zyrtarë në afera korruptive, do duhej të shkarkoheshin.
Albin Kurti si kryeministër i Kosovës ka arritur në këtë funksion, duke qenë një aktivist i suksesshëm dhe një politikan që ka marrë mbi 50% të votave. Tash, prej një politikani është kthyer në një komedian, i cili na flet me fjalime me rima, flet për bojlera e filtera, na tregon sa duhet ta duam Kosovën, por nuk merret me çështjet jetike të këtij vendi.
Kosova është në luftë ekonomike, në luftë me varfërinë. Asnjë zyrtari publik nuk i është rritur paga, qe një vit e gjysmë i gënjejnë për pagën minimale e cila është më e vogla dhe nuk ka asnjë ndihmë për qytetarët”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media të shtunën.
Për deklaratën e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, se “një kompani e huaj më ka thënë që Kosova e ka sistemin tatimor më të mirë”, Tahiri u shpreh se për këtë sistem kjo qeveri nuk ka bërë asgjë.
“Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë foli për investimet strategjike dhe e cila mburret me sistemin fiskal dhe tatimor të Kosovës, për të cilat s’ka bërë asgjë. Në fakt, mburret për një investim të një rrjeti të supermarketeve. Pyetja ime për të dhe Qeverinë e Kosovës është që: a i kanë vizituar komunat e Kosovës për të parë se sa ka rrjete të supermarketeve vendore si, “ETC”, “Viva Fresh”, “Meridian”, etj.
A janë këta investitorë strategjikë dhe a kanë përfituar si investitorë strategjikë? Investitor strategjikë në Kosovë është dikush që krijon vende të punës, që investon në energji e prodhim, por jo një rrjet i supermarketeve”, shtoi Tahiri.