Tërheqja e urdhër- arrestit ndaj të kërkuarit i cili dyshohet se pati gisht edhe në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Millan Radoiçiq ka ngritur pikëpyetje të shumta në publik nëse një gjë e tillë do të duhej të ndodhte tani, pak ditë para se të certifikoheshin votat nga zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Kosovë.
Në debatin e sotëm “Kallxo Pernime”, ish- prokurori special Sylë Hoxha, i cili hetoi rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, përmendi se para se të dilte në pension kishte pranuar një letër me një mesazh në të cilin përmendet edhe Radoiçiq.
“Gjatë asaj kohe sa kam punu ka ardh një letër me shkrim, thuhet se më 10 shkurt Sylë Hoxha del në pension dhe nuk do të më ndjekin më. Informacioni më ka ardhur në formë të shkruar”, thotë Hoxha duke shtuar se nuk e di se nga i kishte ardhur letra.
Ish-prokurori Hoxha e cilësoi veprimin e tërheqjes së urdhër- arrestit ndaj Radoiçiqit si të habitshme.
“M’u duk e habitshme, e papritur për mua duke pasur parasysh se ka pasur, ka elemente për çka është lëshu urdhër-arresti dhe duhet të zhvillohet procedurë ndaj tij. Nuk jam në dijeni se a ka pasur ndonjë zhvillim për tërheqjen e urdhër- arrestit. Ende mendoj se është boss i krimit të organizuar edhe ju e dini, të gjithë e dimë, se ka qenë udhëheqës i krimit të organizuar, ka qenë deri atëherë i paprekshëm për organet tona dhe ne me një vendosmëri kemi vendosur me i zhvillu hetimet që dora e pushtetit apo drejtësisë të shtrihet edhe në atë pjesë të Kosovës”, tha tutje Hoxha ndërsa shtoi se për punën e Radoiçiqit në veri të vendit dhe lidhjen e tij me krimin e organizuar e kanë ditur edhe siç e thekson ai “shefat në Prishtinë”.
Hoxha në gusht të vitit 2019 kishte kërkuar që ndaj Radoiçiqit të lëshohej urdhër-arresti pasi që i njëjti nuk ishte dorëzuar te organet e drejtësisë pavarësisht ftesave që i ishin bërë.
“Ai ka qenë i paarritshëm, e kemi zhvilluar procedurën edhe me ftesa i kemi dërgu dhe në fund kemi vendos që të lëshohet një urdhër-arrest për Millan Radoiçiq dhe ai urdhër-arrest ka qenë në fuqi deri tash. Edhe unë prej mjeteve të informimit kam marrë vesh se i është hequr urdhër-arresti”, shtoi ai.
Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, ish-prokurori special i quajti krerë të grupeve të krimit të organizuar në veri të Kosovës.
Këta dy janë si krerët apo bossët e krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës. Duke qenë prijës e udhëheqës të atij grupi kriminal, kemi pasur elemente se të njëjtit kanë dorë edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe ne i kemi zhvillu hetimet, kemi grumbullu prova, kemi marrë deklarata, kemi ardhë deri të një konkludim të tillë. Ne kemi shku edhe me arrestime mirëpo janë arrestu disa persona të tjerë të dyshimtë por Millan Radoiçiq nuk është kapur atë ditë dhe nuk është kapur nga Policia e Kosovës. M’doket që atë ditë ka ikë, nuk e di saktë”, shtoi tutje ish- prokurori.
Ai madje tregoi edhe pse nuk ishte arrestuar Zvonko Veselinoviqi.