Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një shtetas të Kosovës me inicialet M.V.
Sveçla i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë dhe ta ndëshkojë Serbinë, duke thënë se po cënon hapur integritetin territorial të Kosovës.
“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar Sveçla.





