Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka shpallur procesin e gradimit për gradën toger, me 157 pozita të hapura për zyrtarët policorë që plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale.
Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi se të drejtë aplikimi kanë të gjithë zyrtarët policorë me së paku dy vite në gradën rreshter, si dhe zyrtarët me gradën Polic i Lartë që kanë të paktën 10 vite përvojë aktive në Policinë e Kosovës.
Ai tha se pas këtij procesi do të vijojnë edhe proceset e tjera të gradimeve.
“Ky proces shënon një tjetër hap konkret në reformimin dhe fuqizimin e sistemit të karrierës brenda policisë. Kështu garantohet më shumë mundësi avancimi për zyrtarët që për vite me radhë kanë shërbyer me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim ndaj sigurisë publike.Për herë të parë po krijohet në praktikë mundësia që zyrtarët policorë të avancohen edhe në dy grada njëherazi, duke korrigjuar padrejtësitë dhe bllokadat e trashëguara që për një kohë të gjatë kanë penguar zhvillimin profesional të shumë pjesëtarëve të policisë” – ka shkruar Sveçla.
Afati për aplikim është deri më 12.06.2026.
Në korrik të vitit 2024 Policia e Kosovës kishte anuluar konkursin për gradim për gradën rreshter, konkurs i cili ishte shpallur më 12.02.2024 me rekomandim nga Inspektorati Policor me arsyetimin se ishin gjetur lëshime gjatë procesit.