Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me rastin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor, Shemë Mustafa – pjesëtar i Policisë Kufitare të Kosovës, u ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve të tij.
Sveçla ka thënë se shërbimi i tij i guximshëm në mbrojtjen e kufijve tanë, do të mbetet shembull frymëzues për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe për brezat që do t’i bashkohen asaj.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Shemë Mustafa, pjesëtar i Policisë Kufitare, i cili dy vite më parë ishte rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë gjatë kryerjes së detyrës, thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Shërbimi i tij me përkushtim dhe guxim në mbrojtje të kufijve tanë do të mbetet shembull frymëzues për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe për brezat që do t’i bashkohen asaj. Pavarësisht vështirësive shëndetësore, ai gjithmonë ishte në detyrë, përkrah kolegëve të tij, duke dëshmuar ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe dashurinë për atdheun. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Mustafa, për kolegët me të cilët ai shërbeu me nder e përkushtim, si dhe për mbarë Policinë e Kosovës. I lehtë i qoftë dheu i Republikës sonë!”, shkruan Sveçla.
Shemë Mustafa shërbeu për vite me radhë në Policinë e Kosovës dhe njihej si një prej zyrtarëve të përkushtuar në veri të Mitrovicës. Rrëmbimi i tij nga forcat serbe së bashku me dy kolegë të tjerë, në qershor të vitit 2023, pati nxitur reagime të shumta.