Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument të ushtrisë serbe e cila u gjet gjatë kontrolleve në Banjskë të Zveçanit pas sulmeve të së dielës, e që sipas ministrit, vërteton edhe më shumë lidhjen mes sulmuesve të armatosur dhe shtetit të Serbisë.
Sipas Sveçlës, dokumenti i ushtrisë serbe i është dhënë sulmuesve të armatosur me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave.
“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Brendshëm ka shkruar se tash po ka fakte të pakontestueshme se shteti i Serbisë i mbështet këto grupe terroriste.
“Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”, ka shkruar Sveçla.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej tyre katër janë liruar në mungesë provash. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.