LAJME

Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata

Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Korrik 2026, 19:10

Kosova e ka shpallur non grata Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë.

Kjo pasi ajo ka deklaruar se “po të ishte në vend të Millosheviqit do të spastronte etnikisht Kosovëën’.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se ka nxjerr vendim përmes së cilit Snezana Paunović shpalet person non grata.

Postimi i plotë:

Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit.

Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës.

Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës.

Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Sot ka rend dhe ligj, ka drejtësi që vazhdon të kërkojë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka institucione që nuk do të lejojnë cenim të sovranitetit të vendit tonë. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika