Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, thotë se tri marrëveshjet e arritura me Shqipërinë, që përfshijnë dikasterin e tij do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy shtetet.
Sveçla duke iu kundërpërgjigjur “ironisë” së kryeministrit Rama, për largim të tërësishëm të afatit kohor për lejeqëndrimin e shtetasve të dy palëve, tha se një gjë e tillë edhe mund të ndodh nëse shihet si pengesë nga qytetarët. Ai edhe zotohet për angazhim shtesë të tij në implementimin e tri marrëveshjeve.
“Janë marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e dy vendeve. E para është kalimi i lehtësuar i kufirit për banorët e brezit kufitar. Brez ky i cili është i gjerë 30 kilometra në Kosovë dhe 30 kilometra në anën e Shqipërisë. Këtë banorët dhe shtetas të dy vendeve do të munden që me një leje kalimi të veçantë të qarkullojnë brenda kësaj zone. Marrëveshja e dytë kishte të bënte me leje të qëndrimit për shtetasit e Shqipërisë në Kosovë, për shtetasit e Kosovën në Shqipëri veçse e kanë hequr. Me këtë marrëveshje jo vetëm që lehtësohen por edhe hiqen gjitha procedurat e tanishme të cilat kanë shkaktuar telashe për shtetasit e Shqipërisë në Kosovë. Krejt çka duhet është të kenë një mjet identifikimi dhe një adresë banimi në Kosovë. Me këtë ata automatikisht fitojnë të drejtën e qëndrimit 5 vjeçar, i cili mund të vazhdohet nëse ata kanë dëshirë. Marrëveshja e tretë ka të bëjë me rikualifikimin e pikës kufitare në Shishtavec, ku nga tipi ‘c’ kalon në tipin ‘b’, kjo nënkupton punë 24 orësh dhe kalim i mallrave dhe shtetasve jo vetëm të kësaj zone edhe vendeve të treta”, thotë ai.





