Ministri ende në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar sot sulmin e dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku bandat serbe të mbështetura nga Beogradi sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës, me rastin e përvjetorit të dytë të kësaj ngjarje.
Ai ka theksuar se sot Zveçani dhe veriu frymojnë ndryshe, ku kryetarët punojnë normalisht dhe qytetarët marrin shërbimet e nevojshme.
“Dy vite prej kur bandat kriminale, të drejtuara dhe organizuara nga Beogradi, plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe sulmuan Policinë e Kosovës me qëllim moslejimin e marrjes së detyrës nga kryetarët në katër komunat në veri të vendit. Ngjarja më e dhunshme ndodhi më 29 maj 2023 në Zveçan. Sot, bandat janë shpartalluar, ndërkohë që kryetarët punojnë normalisht dhe qytetarët marrin shërbimet e nevojshme. Zveçani dhe veriu sot frymojnë ndryshe”, ka shkruar Sveçla në Facebook.