LAJME

Sveçla kërkon reagim konkret e më aktiv të Shqipërisë kundër deklaratës së ministres serbe

Sveçla kërkon reagim konkret e më aktiv të Shqipërisë kundër deklaratës së ministres serbe
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Korrik 2026, 12:11

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka kërkuar reagim më aktiv nga Shqipëria ndaj deklaratave fashiste të ministres serbe Snezana Paunoviq, e cila pati deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit “do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”.

Sveçla për Euronews ka thënë se retorika e Paunoviqit është kundër shqiptarëve dhe jo vetëm Kosovës, andaj ka theksuar se pret më shumë nga Shqipëria.

“Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë. Unë besoj se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv. Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha Sveçla.

E të enjten në seancën e Kuvendit të Shqipërisë kjo çështje ka shkaktuar përplasje mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialistë, Taulant Balla.

Muçi kërkoi që kryeministri Edi Rama të mbajë qëndrim publik duke e cilësuar “spastrimin etnik” si krim njerëzor, teksa e akuzoi qeverinë për heshtje ndaj deklaratës fashiste.

Por, Balla i është përgjigjur se reagimi i qeverisë shqiptare është bërë përmes Ministrisë së Jashtme.

“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme por indinjuese dhe të rëndë të një anëtare të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, por janë çështje të një rëndësie kombëtare, që nuk mund të tallemi për një aspekt procedural që një kadet i ri në Kuvendin e Shqipërisë kujton se mund të marrë vëmendje politike”, ka thënë Balla.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e pati quajtur të papranueshme, tronditëse dhe fyerje për viktimat e luftës deklaratën e Paunoviqit. Ai ka theksuar se procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë kërkojnë përgjegjësi dhe reflektim për t’u përballur me të kaluarën dhe se “nuk mund të ndërtohet mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim”.

“Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar #Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar”.

Kosova më 14 korrik e ka shpallur persona non grata Paunoviqin, ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika