LAJME

Sveçla: Epoka e pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar

Sveçla: Epoka e pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Mars 2023, 18:57

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në  ndërmarrjen publike “Ambienti” në Pejë .

 

Ministri Sveçla tha se epoka e tolerimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar.

Ai  ka konfirmuar se shtatë zyrtarë të kësaj kompani tashmë ndodhen në paraburgim.

“Njësiti policor kundër krimeve ekonomike sot ka zhvilluar operacion në Kompaninë e Pastrimit “Ambienti” në Pejë. Bordi i kësaj ndërmarrje publike dhe zyrtarë të tjerë, 7 nga të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, janë subjekt i hetimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe si çdo kush tjetër, do të japin llogari para drejtësisë për çdo keqpërdorim dhe dëm të shkaktuar”, ka shkruar Sveçla.

Ai tha se secili kryes i çdo lloj aktiviteti ilegal do të ballafaqohet me drejtësinë.

“Vendi ynë nuk do të jetë më zonë e rehatisë për asnjë individ apo grup që cënon jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë e sigurinë e vendit tonë. Secili kryes i çdo lloj aktiviteti ilegal do të ballafaqohet me drejtësinë”, ka shkruar më tej ai në Facebook.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika