Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren në raport me kryeministrin Albin Kurti, dhe sipas tij, tani Vuçiq po tenton të nxisë trazira brenda Kosovës përmes luftës hibride. Si nxitje të trazirës, Sveçla e ka konsideruar protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paralajmëruar për sot.
Siç ka shkruar Sveçla, meqë Vuçiqit po i dobësohet pozicioni karshi Kosovës, ai ka vendosur t’i kthehet luftës hibride përmes dezinformatave, duke iu referuar incizimin të publikuar nga “Nacionale” ku përfshihen në bisedë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
“Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar. Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, ka shkruar tutje Sveçla.
Ministri i Brendshëm ka thënë se është e çuditshme që protesta e sotme në Prishtinë, që sipas tij vjen si rezultat i keqinterpretimeve, organizohet në të njëjtën ditë sikur në Beograd. Protesta, siç ka shkruar Sveçla, po organizohet nga njerëz që në deklarata publike kanë thënë se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.
“Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, ka shkruar tutje Sveçla.
Sveçla ka thënë se mbetet të shihet nëse qytetarët e Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, “apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”.
Veteranët e UÇK-së do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të shtunën nga ora 18:00. Në njoftim ndër të tjera thuhet se do të protestohet kundër skandaleve qeveritare që prekin veteranët.