- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të enjten kanë qëndruar në Mitrovicën e Veriut, nga ku kanë deklaruar se provokimet dhe kërcënimet e Serbisë nuk i trembin dhe do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.
Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin e vendosjes së mbishkrimeve kërcënuese dhe nxitëse të urrejtjes ndëretnike në lagjen Kroi i Vitakut në shtëpitë shqiptare, të cilat janë duke u rindërtuar me investimin e Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme është zotuar se akterët e këtij akti do të vihen para drejtësisë.
“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhe që nxit dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, ka thënë Sveçla.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi theksoi se Qeveria e Kosovës do t’ua garantojë qytetarëve të drejtën elementare për kthim në shtëpitë e tyre, derisa ka thënë se parullat e tilla ekstremiste tregojnë se Serbia nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve.
“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare. Qeveria do ta garantojë këtë drejtë. Kemi filluar ndërtimin e 40 shtëpive në katër komunat veriore vitin e kaluar. Këto grafite tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se shumë shpejt do të hapet thirrja e re në vlerë prej 3 milionë eurove për ndërtimin e shtëpive të reja për shqiptarët në katër komunat veriore, Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.