Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se kriminelët në Kosovë kanë përkrahjen politike të Beogradit për aktivitetet e tyre ilegale.
Sipas ministrit, Kosova ka qenë një “El Dorado” virtuale për kriminelët në 20 vjetët e fundit. Ai ka thënë për mediumin serb “N1” të mërkurën se serbë, shqiptarë e boshnjakë janë përfshirë në krimin që ka përkrahje politike nga Beogradi duke përmendur si shembull faktin që zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiqi, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kërkohet për korrupsion, por ende ka përkrahjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Sveçla ka thënë se nuk ka asnjë bashkëpunim ndërshtetëror për çështjen e Radojiçiqit.
“El Dorado” ishte qytet mitik që thuhej se ishte shumë i pasur me ar, e për të cilin u fol për herë të parë në Evropë në shekullin 2016. Shumica besojnë se “El Dorado” është në Amerikën Latine.
“Po që se shikohet situata në veri, na bën të kuptojmë se kjo s’është vetëm një krizë e re. Veriu i Kosovës, katër qytetet në veri, ishte vrimë e zezë sa i përket sundimit të ligjit. Kjo është një zonë me nivel të lartë të kontrabandës dhe krimeve të ndryshme të kryera, pa u ndëshkuar”, ka thënë Sveçla. “Kemi kriminelë që kanë kaluar nga varfëria apo klasa e mesme në multimilionerë falë aktivitetit kriminal, që është toleruar për më shumë se 20 vjet. Kam marrë dhjetëra, në mos qindra ankesa nga njerëzit që janë nën presion prej grupeve kriminale. Këto grupe s’duan që të jenë vetëm të pasur, por janë edhe pengesë për jetën normale me sjelljet arrogante banditeske. Prioriteti ynë është vendosja e ligjshmërisë aty”.
Sveçla ka theksuar se policia e Kosovës po mbyll laboratorë droge e në operacione të ndryshme edhe miniera të Bitcoinit.
“Ka lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim, nënkuptoj lidhje shumëkombëshe. Kemi arrestuar një numër grupesh kriminale të përbërë nga shqiptarë, serbë, boshnjakë nga Kosova e Serbia”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria e Serbisë i toleron këto grupe kriminale e madje i përkrah, me qëllim që të ushtrohet presion mbi popullatën lokale në veri të Kosovës. /koha.net/