Të rinjtë që synojnë të punësohen nëpërmjet platformës “Superpuna” po përballen me probleme në hapje të llogarisë.
Ata s’po arrijnë të regjistrohen pasi po marrin mesazhin “Emri që futet nuk përputhet me të dhënat në ARC”. Këtë e ka konfirmuar KOHA nga të paktën pesë të rinj që kanë tentuar të hapin llogari.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave për këtë çështje. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet. Edhe disa prej të ankuarve për këtë çështje kanë thënë se u kanë dërguar autoriteteve kërkesa qysh prej dje, por se s’kanë marrë përgjigje.
“Superpuna” është platformë në të cilën shteti ua ofron punëkërkuesve mundësinë e punësimit për të paktën 6 muaj, ndërsa punëdhënësve subvencionim të pagës prej 350 eurosh për 6 muaj. Punëdhënësit mund të jenë nga sektori privat, publik ose edhe organizata joqeveritare.
Punëkërkuesit duhet të jenë shtetas të Kosovës, të moshës 18-29 vjeçare.
Për telashe në “Superpunën” kishte folur edhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Paris Guri, duke thënë se të rinjtë që janë punësuar, s’iu kanë ekzekutuar pagat.
“’Superpuna’ ka pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha me ekzekutimin e pagesave. Ka shumë shokë e shoqe tanë që tregojnë se s’iu kanë dalë pagat qe 3-4 muaj…kemi kërkuar informacione nga Ministria e Financave por s’na kanë kthyer përgjigje”, ka deklaruar Guri më 23 janar në debatin “Zgjedhjet në KOHË”./KOHA/