Sot buzëqeshje në fytyrat e fëmijëve që janë të hospitalizuar në repartin e pediatrisë, sollën alpinistët e klubit “Alpin Prishtina”, të maskuar si figurat më të dashura të fëmijëve.
Është bërë traditë që superheronjtë të vizitojnë fëmijët, ku sot u shënua edicioni i pestë i kësaj ngjarjeje. Të lumtur, fëmijët shikonin heronjtë e tyre duke u lëshuar nga çatia e ndërtesës së pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Temperaturat e ulëta nuk penguan të vegjlit që kishin ardhur për të parë nga afër superheronjtë e tyre. Të gjithë vraponin për një fotografi e përshëndetje. Për fotografi nuk hezitoi as ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai tha se superheronjtë e vërtetë janë mjekët e kësaj klinike.
“Mjekët dhe infermierët tanë që bëjnë punë të palodhshme dhe të jashtëzakonshme çdo ditë në trajtimin e fëmijëve tanë, sot me këtë aktivitet të superheronjëve, kemi dashur me vu në pah këtë pjesën e superheroit, të cilën ashtu siç thash janë mjekët dhe infermierët…Ky aktivitet është për të falënderuar mjekët dhe infermierët tanë me punën e tyre të palodhshme që e bëjnë përditë në klinikën e pediatrisë”, tha ai, raporton kp.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajcevci-Uka, u shpreh e lumtur që edhe këtë vit në prag të festave, superheronjët vizituan repartin e tyre. Ajo shpreson që ky aktivitet të vazhdojë me vite të tëra.
“Ky aktivitet është mjaft i rëndësishëm, sidomos për fëmijët të cilët janë të hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë për arsye se ka disa prej fëmijëve me sëmundje kronike që qëndrojnë gjatë, kështu që ky aktivitet është një çlirim shumë i rëndësishëm i ndjenjës shpirtërore për t’i parë këto edhe sidomos për ata fëmijë të cilët këta superheronj i kanë idol dhe për atë arsye është e rëndësishme ta shohin këtë aktivitet”, tha Uka.
E Valentina Pllana që këtë vit ishte e maskuar si “buba-mara”, tha se fëmijët po e presin me entuziazëm këtë aktivitet.
“Ishte shumë kënaqësi për të ardhur dhe për ti gëzuar fëmijët sadopak, si e përmendi drejtoresha dhe ministri. Fëmijët vetëm qëndrojnë çdo ditë dhe na shohin prej brenda, kështu që pse mos me na pa edhe nga afër…Superheronj nuk jam, por fëmijët e njohin karakterin e buba-marës dhe ishte shumë kënaqësi. Shpresoj që i kemi lumturuar sado pak sot”, tha ajo.
Pas lëshimit me litar nga çatia, superheronjët shpërndan dhurata të ndryshme për të vegjlit që shikonin nga poshtë, e nëpër dhoma u vizituan edhe fëmijët e hospitalizuar duke u dhuruar dhurata dhe tyre.