Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur sërish për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit i cili ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Nëpërmjet një postimi në “X”, shefi i qeverisë thotë se në sulm janë përdorur 20 kilogramë eksploziv, dhe nëse ishte realizuar sulmi i parashikuar ai mund të kishte reduktuar prodhimin e energjisë në vendin me 60 për qind.
“Përafërsisht 20 kg eksploziv u përdorën në sulmin terrorist të së premtes së kaluar në infrastrukturën tonë kritike. Kjo javë e kaluar mund të kishte qenë shumë ndryshe po të mos kishte qenë reagimi i shpejtë, i koordinuar dhe profesional institucional për të zbutur ndikimin e dëmit. Si një sulm ndaj popullatës civile, ai mund të kishte reduktuar prodhimin e energjisë në vend me 60 për qind dhe të kishte ndikuar në aksesin e ujit për deri në 40 për qind të popullsisë. Ngjashmëria me shënjestrimin dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile kritike nga Rusia në Ukrainë është alarmante”, ka shkruar Kurti, njofton Klankosova.tv.





