Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se sot është përcjellë ekipi i matematikës nga Suhareka, së bashku me koordinatorin për Kosovë, profesor Emin Hoxha, drejt Gjermanisë, ku do të përfaqësojnë Kosovën në Finalen e Olimpiadës Botërore të Matematikës që mbahet në Frankfurt.
Sipas Muharremajt, ky paraqet një sukses të jashtëzakonshëm për Suharekën dhe gjithë vendin, pasi gjashtë nxënësit kanë siguruar kualifikimin pas një gare të fortë ndërkombëtare me mbi 26 mijë pjesëmarrës nga 173 shtete të botës.
Ai theksoi se nxënësit suharekas janë renditur në mesin e 20 përqindëshit më të mirë në nivel global, duke dëshmuar potencialin, dijen dhe përkushtimin e rinisë kosovare në arenat më prestigjioze të dijes.
Në ceremoninë e përcjelljes ishte i pranishëm edhe drejtori i Arsimit, Remzi Bajselmani, me ç’rast udhëheqja komunale u ka uruar rrugë të mbarë dhe suksese ekipit përfaqësues, duke ritheksuar se Komuna e Suharekës do të vazhdojë të mbështesë nxënësit e talentuar në çdo sfidë ndërkombëtare.
“Gjashtë kampionët tanë janë gati të matin forcat me mendjet më të ndritura të botës dhe ne besojmë se do të kthehen me rezultate që do ta bëjnë Suharekën dhe Kosovën krenare”, ka porositur Muharremaj.