Dy komuna të rajonit të Prizrenit janë renditur lartë dhe një tjetër në kuartilin e ulët sa i përket transparencës buxhetore në vitin 2023, derisa Komuna e Prizrenit nuk është përfshirë në vlerësimin e bërë nga Instituti GAP.
Në Indeksin e transparencës buxhetore komunale 2023 të Institutit GAP, në mesin e komunave të rajonit të Prizrenit, Suhareka ka arritur përqindjen më të lartë të transparencës, e pasuar nga Dragashi. Për dallim prej tyre Komuna e Mamushës ka zënë vend kah fundi i renditjes, për shkak të nivelit të ultë të transparencës buxhetore gjatë kësaj periudhe.
Në raportin e Institutit GAP thuhet se problemet teknike të ueb faqes zyrtare të komunës së Prizrenit kanë ndikuar që kjo komunë të mos përfshihet në vlerësim e bërë. Aty sqarohet se komuna përmes përgjigjes ndaj kërkesës për qasje në të dhëna zyrtare, ka shoqëruar vegëza për secilin nga dokumentet buxhetore, porse mosfunksionimi i ueb-faqes ka pamundësuar qasjen online në këto dokumente.