Përcaktimi i saktë i origjinës së Covid-19 mbetet ende një mister, ndërsa hipoteza më e mundshme vlerësohet ajo e transmetimit nga lakuriqët e natës tek një tjetër kafshë e më pas tek njeriu.
Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Kinën kanë kryer një studim të përbashkët, me të cilin pretendojnë se virusi ka ekstremisht shumë pak gjasa që të ketë dalë nga laboratori.
Rezultatet ishin parashikuar për pjesën më të madhe, por kanë lënë shumë pyetje pa përgjigje. Ekipi i shkencëtarëve që u angazhua në studim, propozoi kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së daljes së Covid-19 nga laboratori, shpjegon “Associated Press”, që ka marrë një kopje të studimit.
Sipas versionit final të raportit, ekspertët, të cilët kanë hasur shumë vështirësi të punonin lirshëm gjatë qëndrimit 4-javor në Kinë për të hetuar origjinën e koronavirusit, kanë zbuluar se janë të nevojshme hulumtime të mëtejshme lidhur me rolin e kafshëve si ndërmjetësues të kalimit të sëmundjeve.Hetimi i OBSH, i kryer 1 vit pas shpërthimit të Covid-19 në Wuhan, është kritikuar gjerësisht për periudhën kohore tepër të vonuar. Ndërsa Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës për politizimin e origjinës së virusit.