Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren mori pjesë në turneun ndërkombëtar universitar të organizuar nga PCU Committee, i cili u mbajt nga data 22 deri më 24 prill 2026 në Antwerp të Belgjikës.
Ky aktivitet mblodhi universitete nga 14 shtete të ndryshme, duke krijuar një platformë të rëndësishme për promovimin e sportit universitar, shkëmbimin ndërkombëtar dhe frymën e “fair play”-it mes studentëve.
Universiteti “Ukshin Hoti” thekson se u përfaqësua me një ekip në disiplinën e futsallit për meshkuj, ku përballë një konkurrence të fortë ndërkombëtare arriti një sukses të rëndësishëm, duke u renditur në vendin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm e që njëkohësisht është suksesi më i madh i arritur në këtë turne.
Sipas njoftimit, delegacioni i universitetit u përfaqësua nga Nexhmedin Krasniqi, sekretar i përgjithshëm dhe Nehat Gashi, drejtor i Qendrës së Karrierës dhe Alumni, të cilët ndoqën nga afër aktivitetet dhe në cilësinë e delegatëve përfaqësuan institucionin në këtë ngjarje ndërkombëtare.
“Ky rezultat dëshmon përkushtimin dhe nivelin e lartë të studentëve tanë në fushën sportive, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të Universitetit ‘Ukshin Hoti’ për të mbështetur zhvillimin e tyre në dimensionin akademik, por edhe jashtëkurrikular. Universiteti ‘Ukshin Hoti’ mbetet i përkushtuar në fuqizimin e aktiviteteve që kontribuojnë në ndërkombëtarizimin, bashkëpunimin dhe afirmimin e studentëve në arenën ndërkombëtare” – thuhet në njoftimin e këtij institucioni akademik.