Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit të ministrave të Mbrojtjes ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, duke thënë se në muajt e fundit kanë parë tensionim, ndërsa njoftoi se disa vende aleate kanë shprehur gatishmërinë të rrisin numrin e trupave në kuadër të KFOR-it.
Stoltenberg thekson se të gjitha palët duhet të sillen me përgjegjësi, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën.
“Në Kosovë, misioni KFOR i NATO-s ruan një mjedis të qetë dhe të sigurt në përputhje me mandatin e saj të OKB-së. Në muajt e fundit, ne kemi parë që tensionet të shpërthejnë në shumë raste. Të gjitha palët duhet të sillen me përgjegjësi, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja rrugë përpara. Dhe KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërkohet”, është shprehur ai, raporton Telegrafi.





