Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën malaziase “Pobjeda” ka folur për situatën në veri të Kosovës.
Stoltenberg ka dënuar sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it që ndodhën në Zveçan më 29 maj. Ai ka thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme. Ndërsa ka treguar se janë dërguar tashmë edhe 500 ushtarë të NATO-s në Kosovë.
“NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri, në të cilat u lënduan afro 40 paqeruajtës. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Kemi dërguar në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë, që edhe ata të dislokohen, sipas nevojës. Këto janë masa që të sigurohemi se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë që i duhet për të përmbushur mandatin e tij. Misioni ynë KFOR do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u përkujdesur për një mjedis të sigurtë dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha Stoltenberg.





