Mandati i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm dhe ai është plotësisht i angazhuar me partnerët në rajon, BE dhe në skenën ndërkombëtare për të iniciuar gjërat në kuadër të dialogut dhe të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve nga dialogu. Kështu tha sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Në një konferencë për shtyp në Bruksel, i pyetur se si do të zhvillohet dialogu gjatë periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve të BE-së dhe nëse mandati i Lajçakut do të zgjatet për disa muaj, ai tha se periudha e tranzicionit nuk ndikon në të dërguarin special të BE-së për dialogun.
“I dërguari i posaçëm i BE-së ka një mandat, aktualisht mandati i të dërguarit të posaçëm aktual për Dialog është ende në vazhdim dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Ai është plotësisht i angazhuar në ndërveprime me një sërë partnerësh, si në rajon ashtu edhe në BE, si dhe në skenën ndërkombëtare, në mënyrë që të përpiqemi të nisim gjërat dhe t’i ndihmojmë palët që t’i zgjidhin çështjet njëra pas tjetrës, me prioritet zbatimin urgjent të të ashtuquajturës Marrëveshje të Ohrit”, tha Stano.





