Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë më 24.09.20223, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në një konferencë për media, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.
“Kur bëhet fjalë për hetimet, para së gjithash ato duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës, nëse i referoheni incidentit në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar. Pra kjo është një gjë që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë përgjegjëse për të hetuar, për të ofruar dhe për të ndarë raportin final të hetimeve të plota. Kjo ende nuk ka ndodhur dhe ne nuk mund të procedojmë pa i pasur rezultatet e këtyre hetimeve”- ka deklaruar Stano.
Ai theksoi se menjëherë pas sulmit e kanë bërë të qartë qëndrimin e BE-së se çka presin nda të dyja palët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.
“Menjëherë pas sulmit, pas disa ditëve, javëve dhe muajve, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se çfarë presim nga të dyja- Kosova dhe Serbia. Dhe, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe mbështetjen për këtë sulm të tmerrshëm nga ana e Serbisë, nuk po flas këtu për shtetin e Serbisë, por nga ana e Serbisë, sërish kjo është, ishte dhe duhet të jetë çështje e hetimeve dhe gjetjet shpresojmë që do të futen në raportin e hetimeve përfundimtare. Kjo nuk është bërë ende apo të paktën kjo nuk është ndarë me ne deri në këtë kohë”- është shprehur Stano.
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Pas informatave për shpërthimin, e të shtënat me armë e me mjete tjera ndaj policëve, njësi të tjera reaguese ishin nisur drejtë Banjskës.
Pamje të ndryshme të publikuara nga Policia e Kosovës, tregonin momente të kapura nga kamerat e vendosura në autoblindat e këtij institucioni deri sa grupi terrorist gjuante me armë të ndryshme drejt tyre.
Pamjet e luftimeve mes grupit terrorist dhe policisë ishin publikuar më 01.10.2023 ndërsa ora tregonte 4 e tutje të mëngjesit.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.