FAMILJE

Në kujtim të-148 vjet të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 

Në kujtim të-148 vjet të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Qershor 2026, 06:41

Nga:Hysen S. Dizdari

THEMELIMIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Lidhja shqiptare e Prizrenit u themelua më 10 Qershor 1878 në qytetin e Prizrenit dhe është një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e Rilindjes kombëtare shqiptare të luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit dhe për çlirim kombëtar.

Me formimin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit populli shqiptar dëshmoi jo vetëm se ekzistonte tanimë si një komb i formuar dhe i bashkuar, por tregoi edhe dëshirën dhe aftësitë e tij luftarake për të mbrojtur paprekshmërinë e trojeve të veta dhe pjekurinë politike për të themeluar shtetin e vet të pavarur shqiptar.

Pas Besëlidhjes së Lezhës, të mbajtur më 2 mars 1444 nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Lidhja shqiptare e Prizrenit, 434 vjet më pas, përbën ngjarjen më madhore në historinë për liri e pavarësi dhe për bashkim kombëtar të popullit shqiptar.

 

Kongresi i Berlinit mori vendime të padrejta ndaj popullit shqiptar, duke i copëtuar trojet shqiptare në mënyre të padrejtë, duke i përdorur ato si plaçkë tregu për të realizuar interesat e tyre në Gadishullin Ballkanik.

Ky Kongres nuk mori parasysh kërkesat e drejta të Lidhjes shqiptare të Prizrenit të përfaqësuar nga patrioti Avdyl Frashëri, për realizimin e autonomisë dhe më vonë për shpalljen e pavarësisë nga Perandoria osmane.

Këto vendime të padrejta i cenonin rëndë të drejtat dhe interesat kombëtare të popullit shqiptar dhe integritet tokësor. Pra, Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte e vendosur të mbronte trojet etnike dhe të mos i respektonte vendimet e marra në Kongresin e Berlinit.

Ja çfarë shkruan intelektuali dhe patrioti Kostë Çekrezi në veprën e tij “Histori e Shqipërisë” botuar në Boston, 1921, në faqen 190:

“VETËM KUR DËGJUAN SE KONGRESI I BERLINIT KISHTE VENDOSUR TË ZGJERONTE KUFIJTË E SLLAVËVE E TË GREKËVE ME TOKA SHQIPTARE…. SHQIPTARET U ZGJUAN NGA GJUMI I THELLË NË TË CILIN PO FLININ DHE I RANË MENDJES TË MBRONIN TË DREJTAT E TYRE”.

VENDIMET HISTORIKE TË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZERENIT

Lidhja shqiptare e Prizrenit u themelua në qytetin e Prizrenit, i cili ishte deri një vit parë ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.

Aty u mblodhën 110 delegatë nga të gjitha krahinat e vendit. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë ishin Abdyl Frashëri, Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Abdulla pashë Dreni, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi etj.

Në Kuvendin e përgjithshëm në Prizren kishin ardhur gjithashtu si delegatë nga viset e Bosnjës dhe të Hercegovinës.

Mbledhjen e hapi patrioti dhe atdhetari Avdyl Frashëri, i cili midis të tjerave, tha:

“Qëllimi i Kuvendit është t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që të mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.”

Vendimet më të rëndësishme të Lidhje së Prizrenit janë:

1.Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet, me një seli në një qytet, i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.

2.Të gjithë nëpunësit që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllëkut duhet të dinë edhe gjuhën shqipe.
3. Të përhapet arsimi dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe.
4. Të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe me interesin e shtetit dhe të kombit të cilat merren nga Kuvendi i Këshillit qendror, i cili do të mbahet në qendrën e vilajetit, duke e vazhduar punën e vet katër mujore në vit.

5. Të caktohet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit, e cila të përdoret për zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin publik.

Me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit i përshëndeti vëllezërit shqiptarë kudo nëpër botë me poezinë e poetit shkodran të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Filip Shiroka.

KOMBIT TONË

VIMË NGA PELLAZGËT, NJERËZ TË LAVDUEM

Ç’NË KOHËT E VJETRA TË NJERZISË

JEMI T’PERMENDUR E TË NDERUEM

Ç’NË KOHË TË MOÇME TË HISTORIES

KOMB KRESHNIK JEMI, JEMI USHTARË

KEMI LUFTUE TRIMNISHT GJITHMONË

NGA SHQYPJA KEMI EMRIN SHQYPTAR

ME SHQYPE KEMI FLAMURIN TONË.

ÇONI PREJ GJUMIT, BIRT E KASTRIOTIT,

SE ROBNIA ËSHTË TURP PËR TRIMIN

ÇONIU BRE BURRA, PËR EMËN T’ZOTIT,

NËR MALE E N’FUSHA QITNI KUSHTRIMIN!

ÇONIU SOKOLA, ÇOUNI NJI HERË,

ҪOHU, NJESHI ARMËT BURRI I SHQYPNISË,

PËRPARA BOTËS S’KA ROBI NDERË

TURP ASHT PËR TRIMIN ZGJEDHA E ROBNISË!

         FILIP SHIROKA

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika