Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka shprehur skepticizëm se një takim i ardhshëm në dialog në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet në dhjetor.
Pas mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit në Bruksel, Borrell ka thënë se s’ka parë gatishmëri nga palët për një takim të ardhshëm.
“Ne gjithmonë organizojmë takime dhe mblidhemi kur është e përshtatshme. S’kemi njoftuar ende. E kemi bërë të qartë që pas dy takimeve sivjet, parakusht është gatishmëria e të dyja palëve të pajtohen për rezultate konkrete. Do të ishte e pakuptimtë të mbajmë takim nëse kushte s’përmbushen e të takohemi prapë për asgjë. Në bazë të informatave që kam marrë edhe nga emisari i posaçëm dhe nga puna e tij e palodhshme, s’ka gatishmëri në këtë pikë. Por ende s’ka përfunduar dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi që të kemi takime të tilla”, ka thënë ai.





