LAJME

Spitali i Prizrenit priti udhëheqësit e KBI-së, diskutuan forcimin e bashkëpunimit për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve

Spitali i Prizrenit priti udhëheqësit e KBI-së, diskutuan forcimin e bashkëpunimit për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Prill 2026, 11:41

Drejtuesit e Spitalit të Prizrenit “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren kanë pritur të mërkurën udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, me të cilët bëhet e ditur se kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim të përmirësimit dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore, efikase dhe të shpejta për qytetarët.

Sipas njoftimit, udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren: Valon Ibrahimi, kryetar, Dr. Orhan Bislimaj, kryeimam, Faruk Ukallo, sekretar dhe Eroll Rakaq, zyrtar për shërbime, u pritën nga drejtori ekzekutiv i Spitalit të Prizrenit, Osman Hajdari, së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues – Dr. Shefki Xharra, drejtor mjekësor, Burbuqe Gashi, drejtoreshë e Infermierisë, dhe Lumrim Murtezaj, drejtor i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta.

Siç bëhet e ditur, një pikë e veçantë e diskutimit ishin edhe shërbimet pa pagesë që ofron KBI për të gjithë qytetarët, në lidhje me bartjen dhe procedurat e varrimit kur pacientët ndërrojnë jetë në spital.

Në njoftim thuhet se drejtori i spitalit, Osman Hajdari, shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Edhe kryetari i KBI-së në Prizren, Valon Ibrahimi, sipas njoftimit, theksoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse dhe humanitare për qytetarët në nevojë

Në përfundim të takimit, thuhet se drejtuesit institucionalë u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë përmes takimeve të rregullta dhe ndërmarrjes së hapave konkretë për zbatimin e çështjeve të diskutuara, përfshirë edhe inicimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit ndërinstitucional, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

“Ky bashkëpunim synon shfrytëzimin optimal të të gjitha kapaciteteve profesionale, kadrovike dhe teknike në funksion të qytetarëve që kanë nevojë për shërbime shëndetësore, në veçanti në rastet kur familjarët kanë nevojë për asistencë teknike për transportim, në rastet kur pacientët ndërrojnë jetë në spital” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika