SPERTK me kërkesa ndaj Kuvendit: Pagën e 13-të, rritje buxheti dhe emërim urgjent të Bordit

LAJMEMë pak se 2 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|1 orë
SPERTK me kërkesa ndaj Kuvendit: Pagën e 13-të, rritje buxheti dhe emërim urgjent të Bordit

Në ditën kur pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka kërkuar që çështjet kyçe të RTK-së të trajtohen me prioritet të lartë institucional.

Përmes një reagimi publik, sindikata ka kërkuar realizimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së përmes rritjes së buxhetit të institucionit, në përputhje me vendimin e marrë për sektorin publik. Sipas SPERTK-së, RTK funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë dhe nuk duhet të trajtohet si institucion dytësor.

Me miratimin e buxhetit për vitin 2026, sindikata kërkon rritje reale të buxhetit të transmetuesit publik, duke vlerësuar se buxheti aktual është i pamjaftueshëm për funksionimin normal dhe përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve.

SPERTK ka ngritur shqetësim edhe për situatën institucionale në RTK, duke theksuar se të gjitha pozitat drejtuese aktualisht mbahen nga ushtrues detyre, gjë që sipas tyre ka paralizuar vendimmarrjen dhe ka krijuar pasiguri menaxheriale. Sindikata i ka bërë thirrje Kuvendit që të emërojë pa vonesë Bordin e ri të RTK-së, duke paralajmëruar se zvarritja e këtij procesi po i shkakton dëm të drejtpërdrejtë institucionit dhe misionit të tij publik.

Po ashtu, sindikata ka kërkuar që pas themelimit të Komisionit për Media, të rritet vëmendja institucionale ndaj RTK-së si shërbim publik me rëndësi strategjike për informimin e qytetarëve.

Një tjetër problem i theksuar është mungesa e stafit në disa sektorë për shkak të pensionimeve, duke bërë që disa njësi të funksionojnë nën minimumin e nevojshëm të punëtorëve. Sipas SPERTK-së, kjo situatë rrezikon cilësinë e programit dhe cenon interesin publik.

Në fund, sindikata ka paralajmëruar se nëse kërkesat nuk adresohen me hapa konkretë, do të ndërmarrë masa sindikale në përputhje me ligjin, përfshirë edhe organizimin e grevës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika