Gjykata Speciale i ka kërkuar shtetit të Kosovës të krijojë një mekanizëm për zhdëmtim, me qëllim që të kompensohen plotësisht viktimat e krimeve të luftës, për të cilat do të vendosë kjo gjykatë.
Pas vendimit që viktimat në rastin e Salih Mustafës të dëmshpërblehen me mbi 200 mijë euro, trupi gjykues ka dhënë vërejtje në ligjin e Kosovës për të trajtuar dëmet dhe lëndimet e pësuara në kontekst të luftës.
“Trupi gjykues vuri re që Kosova nuk ndërmori asnjë hap për t’u përgatitur për nevojën për të mundësuar zhdëmtimin e viktimave të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Kosova parashikoi nevojën ta mbështetë mbrojtjen e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së. Vërejti se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës në Kosovë, u referohet viktimave të forcave të armikut dhe jo të gjitha viktimave. Për mendimin e trupit gjykues, këto ligje krijuan diskriminim mes viktimave të kësaj lufte. Është e rëndësishme t’i kujtojë Kosovës detyrimet e saj në lidhje me të drejtat e viktimave për mjet juridik efektiv. Trupi gjykues i bëri thirrje Kosovës të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë mekanizëm për zhdëmtim me qëllim kompensimin e plotë të viktimave të krimeve. Trupi gjykues nënvizoi se në krijimin e një mekanizmi për zhdëmtim duhet shqyrtuar mundësia e financimit të tij përmes buxhetit të Kosovës, meqë mbrojtja e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së financohet përmes atij buxheti. Trupi gjykues vlerëson se një përdorim i barabartë i buxhetit do të promovonte mandatin e DHSK-së”, ka thënë trupi gjykues të enjten.





