Sot, do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.
Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit në Konsullatën e Kosovës në Stamboll, e cila do të jetë përfaqësia e parë diplomatike që hap dyert për votim, ku janë të regjistruar paraprakisht 116 votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një njoftim rreth këtij procesi dhe si duhet votuar.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë:Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së”.
“Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Më 28 dhjetor, ditën e diel, Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë të dytat që mbahen brenda këtij viti.
