LAJME

Sot nis Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi

Sot nis Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Qershor 2026, 06:27

Në Tivat të Malit të Zi nis sot punimet Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ku do të marrin pjesë liderë të vendeve të rajonit dhe përfaqësues të BE-së.

Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Sipas Presidencës, samiti do të fokusohet në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Planin e Rritjes së BE-së, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Gjatë pjesëmarrjes së saj, Haxhiu pritet të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.

Samiti, që zhvillohet gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel, rikonfirmon partneritetin strategjik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe angazhimin e unionit për procesin e zgjerimit.

Samiti po zhvillohet në hijen e tensioneve serioze midis Podgoricës dhe Beogradit. Policia malazeze ka kthyer 87 qytetarë serbë nga aeroporti i Tivatit, të cilët i konsideron rrezik sigurie. Ata mbërritën në Mal të Zi të mërkurën me një fluturim të organizuar çarter nga Beogradi, dhe midis tyre kishte tifozë, luftëtarë të arteve marciale dhe persona me precedentë kriminalë. Sipas informacioneve operative, ata supozohej të shkaktonin provokime gjatë samitit.

Beogradi u përgjigj duke ndaluar rreth 30 qytetarë malazezë në aeroportin e Beogradit dhe duke rritur kontrollet në pikat kufitare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika