Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbledhë sot kryesinë e partisë derisa temë kryesore e takimit pritet të jetë çështja e presidentit, përkatësisht qëndrimi karshi kandidaturës së Vjosa Osmanit për këtë post, shkruan Gazeta Express.
Lajmin e ka bërë të ditur për emisionin #gjesi në T7, deputeti dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike, Anton Quni.
Ai ka bërë të ditur se sot do të mblidhet kryesia dhe gjithashtu do të ketë planifikim për takimin e radhës edhe me Vjosa Osmanin.
“Është realizu një takim, LDK e ka përfaqësu kryetari dhe nënkryetari sipas njoftimeve do të ketë edhe një takim të radhës, sot e kemi një mbledhje të kryesisë, është temë që është ka debatohet brenda strukturës, qëllimi jonë është që cilido vendim që do e dimë do ta ruajmë unitetin e LDK-së të grupit parlamentar, sepse kemi pasur përvoja që kemi pas ndryshe. Nuk kemi ende një përgjigje definitive ende po e debatojmë”, ka thënë ai.
Takimi do të mbahet sot në ora 16:30 në selinë qëndrore të Lidhjes Demokratike në Prishtinë.
Quni ka zbuluar edhe qëndrimin e tij për Osmanin dhe kandidaturën që ka shpallur e njejta.
“Unë kam miqësi me zonjën Osmani i njoh të gjitha vlerat e saj edhe jam mëse i bindur se vendimi i LDK-së do të jetë në favor të qytetarëve dhe në favor të shtetit”, tha ai.
Ish-ministri ka treguar edhe pse është tëhequr nga gara për kryetar të LDK-së.
“Momenti kur jam vendos mu tërheq nga gara, determineus ishte fakti që me dhanë një mesazh që ne duhet me i dhënë mundësi gjeneratave të reja”, tha ai.
Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.
Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.
Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.
“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.
Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.