Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot, në Bruksel, dhe në këtë takim fokusi do të jetë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Bashkimi Evropian tha se takimi synon zbutjen e tensioneve ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifkimit dhe targave të makinave.
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak pas takimeve që ka pasur një ditë më parë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka ndarë fotografi, ndërkohë që ka shkruar se këto takime ishin përgatitje për diskutimet e së enjtes.
Bashkimi Evropian e ka zbardhur agjendën e takimit të satëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimi do të nisë në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.
Në fund të takimit, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell do të japë deklaratë për medie.
Ky takim mes dyshes nga Kosova e Serbia vjen pas më shumë se një viti bllokadë të takimeve të këtij niveli në Bruksel.
Takimi i 18 gushtit është takimi i tretë i radhës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Dje, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. /rtklive/